Shitet rafineria e Fierit; ARMO mban rafinerinë e Ballshit, bashkë me borxhet

19/01/2018 19:44

Një grup operatorësh në tregun e karburanteve kanë blerë rafinerinë më të vogël të ARMO-s, atë të Fierit, e vetmja që mund të dalë me fitim për shkak se prodhon bitum, një material shumë i kërkuar në ndërtim. Por kjo shitje nuk ndryshon asgjë te borxhet që ARMO i ka shtetit.

Në kulmin e krizës që ka shkaktuar mbyllja e ARMO-s, një nga dy rafineritë e saj, ajo e Fierit është shitur në ankand përmbarimor për llogari të një banke private.

Sipas dokumenteve të ankandit, rafineria është blerë për 5 milionë dollarë nga kompania AL Global, ku bëjnë pjesë disa nga grupet më të mëdha të tregtimit të karburantit në vend si Kastrati apo Europetrol.

Rafineria e Fierit është më e vogla nga dy rafineritë e ARMO-s. Rafineria e Fierit nuk prodhon karburant, por vetëm bitum, një material shumë i kërkuar në sektorin e ndërtimit. Blerësit e rinj i thanë Top Channel se brenda muajit tjetër Rafineria e Fierit do të vihet në punë me kapacitet të plotë, me fuqi maksimale punëtore për të prodhuar bitum, kryesisht për eksport.

Ndonëse është një pjesë e vogël e ARMO-s, rafineria e Fierit ishte lënë peng nga Rezart Taçi te një bankë private për 20 milionë euro. Prej 2 vjetësh banka e sekuestroi, në përpjekje për ta shitur.

Në fillim të vitit 2016 rafineria u nxorr disa herë në shitje për llogari të bankës, por nuk pati asnjë ofertë, edhe pse çmimi u ul nga 20 milionë euro në në 5 milionë euro. Pas dy dështimeve, banka pranoi që rafinerinë t’ia japë me qera kompanisë TPD Drilling, e lidhur me biznesmenin Besnik Sula, e cila e shfrytëzoi atë për disa muaj. Por në tetor të 2016-ës, i njëjti grup përmes kompanisë IRTC arriti të marrë në shfrytëzim rafinerinë e madhe të ARMO-s, atë të Ballshit, në një marrëveshje të bekuar edhe nga qeveria. Mirëpo në këtë moment rafineria e vogël e bitumit në Fier u mbyll.

Në llogaritë mes ARMO-s dhe shtetit shqiptar, shitja e rafinerisë së Fierit nuk ndryshon asgjë sepse ajo ishte pronë e bankës. Borxhet qindra milionë euro, që ARMO ka krijuar në shtet, që nga privatizimi i saj, i përkasin rafinerisë së Ballshit dhe i mbeten po kësaj rafinerie si edhe kompanive që e kanë shfrytëzuar, duke filluar nga Rezart Taci, më pas azerët e së fundmi Besnik Sulaj. Në 10 vitet e fundit, këto borxhe duke përfshirë edhe gjobat llogariten në rreth 300 milionë euro. Para që po të ishin mbledhur, do të ishin përkthyer në investime publike për të mirën e përgjithshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA