Makina përplas këmbësorët në Copacabana, vdes foshnja, 15 të plagosur

19/01/2018 14:53

Një automjet që lëvizte me shpejtësi është përplasur me turistët që shëtisnin orët e mbrëmjes në sheshin e famshëm e të tejmbushur të plazhit të Copacabanës në Rio de Janeiro, mbrëmjen e së enjtes, në atë që duket të jetë vetëm një aksident, por që i mori jetën një foshnjeje 8-muajshe dhe plagosi 15 persona të tjerë, sipas policisë.

Njerëzit e plagosur mbushën trotuaret, duke rikthyer në kujtesë sulmet terroriste me automjete që u drejtohen këmbësorëve, por deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që incidentin e Copacabanës ta konsiderojnë si terrorist.

Faqja e internetit “G1” raportoi se drejtuesi i mjetit, i cili u largua nga vendngjarja por u arrestua shumë shpejt nga policia, ka thënë se kishte pasur një krizë epileptike, e në automjet është gjendur gjithashtu një ilaç për epilepsinë.

Policia e Copacabanës konfirmoi vdekjen e foshnjes dhe 15 të plagosurit, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në spital.

Dëshmitarët thanë për rrjetin “Globo News” se makina kishte devijuar gjatë shëtitores buzë detit, duke goditur njerëzit e duke u përplasur me tabelat dhe karriget e lokaleve aty pranë, përpara se të ndalonte në rërën e plazhit.

Shëtitorja e Copacabanës është sheshi më i frekuentuar përgjatë verës, qoftë për ecje buzë detit në mbrëmje nga banorët e Rios, ashtu edhe për turistët që kanë nisur të mësyjnë qytetin e famshëm për festimet e karnavaleve që do të nisin muajin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA