Kryeministrja e Zelandes së Re, Jacinda Ardern lajmëroi se është shtatzënë, një lajmërim mjaft i rrallë për një lider vendi.
Ardern është 37 vjeç dhe kryeministrja më e re e Zelandës së Re që prej vitit 1856. Çështja e shtatzënisë së saj të mundshme u diskutua që para se të zgjidhej në postin që mban, me disa deputetë që thanë se kreu i vendit nuk mund të marrë leje lindjeje.
Por, në fakt, Ardern do të bëjë pikërisht këtë pas lindjes së planifikuar në qershor do të marrë 6 javë leje. Bashkë me partnerin e saj Clarke Gayford, ajo foli para mediave dhe tha se presin fëmijën e tyre të parë, ndërsa gjithashtu nuk harroi të sqaronte funksionim e shtetit në mungesë të saj. Ardern tha se gjatë lejes do të jetë Winston Peters, partneri i saj në koalicion që do të kryejë funksionin e kryeministrit, siç ndodh kur ajo udhëton jashtë vendit.
Kryeministrja gjithashtu qetësoi skeptikët dhe tha se çdo nënë në botë bën disa detyra, prandaj edhe ajo do t’ ia dalë që të rrisë një fëmijë e të drejtojë qeverinë. Sigurisht, mbështetja nuk i ka munguar nga neozelandezët që kanë përmbytur mediat sociale me mesazhe urimi për kryeministren.
Top Channel