Basha në Elbasan: Rama ka vrarë shpresën e rinisë

18/01/2018 14:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në Elbasan se pasoja më tronditëse e aleancës së Edi Ramës me krimin është emigrimi i më shumë së 100 mijë të rinjve gjatë qeverisjes së tij.

Basha u shpreh se duke patur prioritet pasurimin e krimit dhe disa klientëve, që i përdor për të mbajtur pushtetin, Edi Rama ka vrarë shpresën e rinisë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

“Në vetëm 4 vite janë dyfish prindër që kanë parë gëzimin e jetës së tyre t’u largohet, jo nga qejfi, jo dëshira, jo sepse kështu zgjedhin, por sepse këtu nuk kanë asnjë mundësi. Papunësia është ulur këmbëkryq. 50 biznese në ditë mbyllen, u mbyllën vitin e kaluar dhe vazhdon kjo mbyllje. Por po kështu në shërbimet shëndetësore të cilat janë në kolaps total, në arsim e kudo tjetër.”-tha Basha

Lulzim Basha tha se aksioni opozitar që nis më 27 janar me protestën nuk bëhet për interes të ngushtë politik, por për t’i dhënë vendit një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që punon dhe jep llogari para qytetarëve

Top Channel