Në 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 550 rrënjë ulliri u mbollën rreth Kalasë së Petrelës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shoqërua në këtë ditë nga përfaqësues të komunitetit arbëresh të ardhur nga Italia.

“Në një moment kur ne shqiptarët e kemi zakon që të devijojmë, të humbasim fokusin, të përçahemi, të pengojmë njëri-tjetrin, Skënderbeu është ndoshta e vetmja figurë që na unifikon të gjithëve dhe për të cilin nuk kemi debat. Ndaj jam shumë i lumtur sot, që të gjithë vëllezërit tanë arbëreshë nga jugu i Italisë na u bashkuan, jo vetëm për të përkujtuar vitin e Skënderbeut, por edhe për disa simbolika shumë të forta”, tha Veliaj.

Në të njëjtën kohë, Veliaj ftoi edhe njëherë qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen nismës për gjelbërimin e kryeqytetit.

“Skënderbeu ishte vet i pasionuar pas ullinjve dhe fakti që inkurajonte çdo çift të dashuruarish të mbillte një rrënjë ulliri do të thotë se, pavarësisht se në ato mote kishte luftë, dashuria ndaj atdheut nuk tregohej vetëm me shpatë, por tregohej edhe me dashurinë për atë copë të atdheut, që secili kishte në administrim, qoftë në Kalanë e Petrelës, atë të Krujës, apo kudo tjetër ku ishin shqiptarët”, u shpreh më tej Veliaj.

Nëse do të ecim me këto ritme, theksoi më tej kryebashkiaku, padyshim që viti që kemi nisur do të jetë më i gjelbër, duke kujtuar se synimi është për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja deri më 21 mars, Ditën Botërore të Pyjeve.

“Jemi në mbi 75 mijë pemë vetëm në këtë sezon mbjelljeje. Nëse do të vazhdojmë me këtë frymë, me kompanitë, me vullnetarët, me dashamirës, me patriotë, me qytetarë të mirë, do të kemi vitin më të gjelbër që ka parë Tirana”, deklaroi Erion Veliaj.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel