Peshëngritja shqiptare tronditet përsëri. Romela Begaj ka rezultuar pozitive me substancën e stanazololit pas Botërorit të zhvilluar në Anaheim të Kalifornisë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, në një bisedë telefonike për Top Channel këmbënguli në pafajësinë e peshëngritëses, duke theksuar se përgjigjet kanë ardhur në federatë 45 ditë pas përfundimit të Botërorit dhe konfirmoi se ajo do të kryejë edhe testin B. Sipas tij, Begaj rezulton e dyshuar për doping për substancën stanazolol, e njëjta me të cilën ajo rezultoi pozitive edhe në testet antidoping të 2014 pas Botërorit të Kazakistanit.
Gjoza theksoi se Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të bëjë një prononcim në lidhje me këtë çështje vetëm pasi të ketë marrë në dorëzim përgjigjet e testit B të Begajt.
Ndërkaq, në muajin nëntor, pak ditë përpara nisjes së sportistëve drejt SHBA u organizuan dy kontrolle antidoping nga ana e Ministrisë së Sporteve dhe Begaj, e cila stërvitet jashtë Shqipërisë, nuk ishte e pranishme në këto testime, që gjithsesi u konsideruan të pavlefshme nga trajneri Zef Kovaçi.
Në Botërorin e Anaheimit, Romela Begaj shënoi rezultatin më të mirë në karrierën e saj, pasi fitoi medaljen e artë në shkëputje dhe të argjendtën në dygarësh. Nëse testi B konfirmon përgjigjen e parë, atëherë dënimi për të, por edhe për vetë Federatën e Peshëngritjes, do të jetë shumë i rëndë.
Top Channel