Një dialog të mirëstrukturuar për çeljen e negociatave, ka kërkuar kreu i shtetit Ilir Meta në një intervistë për Albania Daily News.
I pyetur mbi raportet Presidencë-Kryeministri-Kuvend për vitin që sapo hymë, Meta thotë se e rëndësishme është që çdo institucion të kryejë detyrat dhe funksionet përkatëse.
“Është e domosdoshme që çdo institucion të kryejë detyrat e funksionet e tij përkatëse, duke u mbështetur mbi Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi. Shqipëria po hyn në një fazë të rëndësishme të integrimit evropian dhe të gjitha përpjekjet duhen përqendruar për të kapur këtë mundësi më mirë herët sesa vonë. Është tamam koha për një dialog strukturor mbi reformat kyçe, që kanë nevojë për zbatim të shpejtë”, është shprehur z. Meta.
Lidhur me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me fqinjët, kreu i shtetit thotë se do të dëshironte më shumë që marrëdhëniet me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit të zhvillohen më tej për çështjet e interesit reciprok.
“Ne nuk e kemi luksin të zgjedhim fqinjët tanë, por ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë një fqinjësi të qëndrueshme dhe të sigurtë për interesat kombëtarë. Dëshiroj t’i shikoj marrëdhëniet tona me Serbinë, si dhe me të gjithë vendet e tjera të rajonit, të zhvillohen më tej për të gjitha çështjet e interesit reciprok. Do të doja të shikoja më tepër angazhim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në frymën e besimit dhe bashkëpunimit reciprok”, thotë Meta.
Top Channel