Prokuroria e Tiranës ka vendosur nën hetim Altin Muratin, 37 vjeç, i dyshuar për bashkëpunim në zhdukjen e shtetasit Artan Lleshi.
Për fatin e Artan Lleshit nuk dihet asgjë që prej muajit nëntor 2017. Për herë të fundit, sipas dëshmitarëve okularë, Artan Lleshi është parë tek rrethrrotullimi i Kamzës.
I dyshuari për këtë ngjarje, Altin Murati, i njohur ndryshe edhe me emrin Mario është arrestuar në sekret të plotë dhe gjithashtu po në sekret është lënë nën masë arresti me burg nga gjykata për akuzën e vrasjes me paramendim.
I dyshuari Murati e ka ftuar për kafe 37-vjeçarin Lleshi, ndërkohë që ka dyshime se ua ka dorëzuar atë më pas disa personave të tjerë, të cilët dyshohet të jenë larguar nga Shqipëria.
Por zhdukja e të riut Artan Lleshi shikohet si vazhdimi i një hasmëria disavjeçare të nisur me një krim të bujshëm në Angli, ku një i ri i fisit Hoxha nga Mamurrasi është rrëmbyer dhe më pas u gjet i djegur.
Për këtë ngjarje u dënua në Angli Arben Lleshi, djali i xhaxhait të Artanit. Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se edhe zhdukja e Artan Lleshit, kushëri me vrasësin Arben Lleshi, ka lidhje me këto ngjarje.
Sipas dëshmitarëve, i zhdukuri është thirrur tre muaj më parë për kafe nga i dyshuari dhe pasi ka hipur në makinën e tij tek rrethrrotullimi i Kamzës është zhdukur pa asnjë gjurmë.
Por i dyshuari Altin Murati e kundërshton këtë version të Prokurorisë dhe thotë se e kishte shok të zhdukurin Lleshi, madje disa herë i ka dërguar para nga Gjermania.
Top Channel