Ka nisur pasditen e sotme sesioni i dytë i legjislaturës së 9-të. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se shqiptarët kanë pritshmëri të larta në pritje të hapjes së negociatave.

“Gjatë këtij sezoni pritet të miratohen KLP, KLGJ dhe reforma elektorale. Inkurajoj të gjitha grupimet të japin kontributin për miratimin e këtyre akteve”, tha Gramoz Ruçi.

Ndërkohë i pari që e mori fjalën ishte kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili u shpreh se deputetët janë rikthyer në një sallë që është lënë me një shije të hidhur.

“Rikthehehmi në një sallë që e kemi lënë me një shije shumë të hidhur. Në seancën e fundit të këtij Kuvendi u shkel Kushtetuta. Kapja e drejtësisë nga ana e mazhorancës për disa dosje që i kërcënojnë”, tha Vasili.

Ndërkohë, në fjalën e tij në seancën e ditës së sotme Parlamentare, kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh se mazhoranca shkeli Kushtetutën më 18 dhjetor për të mbrojtur “peshqit e mëdhenj”.

“Kthehemi pas 1 muaji në vendin e krimit. Mazhoranca e kapur nga krimi kreu krimin kushtetues, kapi prokurorinë dhe që prej datës 18 dhjetor janë fshehur kolonat e demokracisë. Ky krim kushtetues i paralajmërua nga opozita, sepse rruga e nisur nga Kryeministri është rruga e aleancës me krimin për të marrë dhe mbajtur pushtetin. E vetmja mënyrë për të garantuar paprekshmërinë e kriminelëve është kapja shkelja e ligjit, e vetmja rrugë është kapja e shtetit para se të shkatërrohen. Menjëherë pas këtij akti, Tahirit ju hoq masa shtrënguese e ndalimit jashtë shteti. Orest Sota u lirua, nga ana tjetër po bëhen përpjekje për të ndaluar hetimet në adresë të Vangjush Dakos dhe Qazim Sajdinit dhe klanit të tij. Mark Frrokut dhe antarëve të grupit “Xibraka” ju ul dënimi në mënyrë lehtësuese dhe çështje të tjera të trafikut të drogës kanë marrë premisa të forta për mbylljen e çështjeve të tyre”, u shpreh Basha.

Top Channel