Çisterna iraniane, që mori flakë dhe u mbyt në detin e Kinës Lindore të dielën, ka shkaktuar katastrofën më të madhe natyrore në dekada, duke lënë pas një vazhgë nafte 10 milje të gjatë dhe tym të zi që vazhdon të dalë prej saj.
Media shtetërore kineze tha se, rrjedhja e naftës ishte nga një në 4 milje detare e gjerë dhe është rritur në përmasa disa herë që nga e diela, duke ngjallur edhe më shumë shqetësime për dëmtimin e ekosistemit detar.
Rrjedhja, sipas CCTV-së, është regjistruar në lindje të vendit ku u mbyt anija. Një përpjekje pastrimi për sipërfaqen e detit ka nisur dhe ekipet e shpëtimit kanë ndaluar kërkimin në shkallë të gjerë për të mbijetuar, duke reduktuar operacionet.
Anija që transportonte 136 mijë tonë nafte bruto të kondensuar, u mbyt të dielën në mbrëmje pasi disa shpërthime ndodhën në bord.
Administrata shtetërore Oqeanike njoftoi të dielën se, për shkak të shpërthimeve të regjistruara në bord, një sasi e madhe nafte është shpërndarë në ujërat përreth dhe është përfshirë nga flakët.
Mbytja e saj përbën edhe ndotjen më të madhe të detit që nga viti 1991, kur 260 mijë tonë naftë rrodhën në brigjet e Angolës. Tym i zi vazhdon të dalë nga vendi ku u mbyt anija, konfirmoi edhe Roja Bregdetare japoneze.
Top Channel