Amendamentet e opozitës, Vasili: Ndalin shkatërrimin e reformës në drejtësi

15/01/2018 16:33

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili thotë se nisma për ndryshimin e ligjit për funksionimin e Prokurorisë dhe amendimi i Kushtetutës, dy propozime të dorëzuara bashkarisht me Partinë Demokratike, janë jetike për integrimin europian.

“I gjithë grupi i LSI-së mbështeti propozimin e grupit të përbashkët të punës. Kthimi i kushtetueshmërisë është një hap kundër shkatërrimit të reformës në drejtësi nga mazhoranca”, thotë ai.

Propozimet e PD-së dhe LSI-së janë hartuar nga një grup pune, dy demokratët Bylykbashi e Bardhi dhe Manjani e Naço për LSI-në.

“Pa Vetting nuk mund të ketë Prokuror të Përgjithshëm. Ky hap i opozitës është jetik për integrimin europian. Opozita respekton vetëm ligjin dhe është luajale e konstruktive”, vijoi kreu i grupit parlamentare të LSI-së.

Kërkesa drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi është firmosur nga Petrit Vasili, Edmond Spaho dhe Fatmir Mediu.

Top Channel