Veliaj inauguron bibliotekën: Po fitojmë betejën me bingot e llotot

13/01/2018 11:57

Biblioteka “Musine Kokalari” në njësinë nr. 7 ka çelur ambientete e reja për lexuesit. “Po fitojmë betejën me bingot dhe llotot”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj në inaugurimin e saj.

“Nëse më parë ishin bastet, bingot, llotot në ofensivë ndaj kulturës qytetare, ne e kemi kthyer këtë energji në më shumë terrene sportive, kënde lojërash dhe aktivitete. Pra, e kemi filluar ofensivën ndaj bingove e basteve, jemi në avantazh, por ende s’e kemi fituar betejën. Për këtë duhet që të kemi një vit të mbushur me investime të tilla”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës. Ai tha se është shumë e rëndësishme që këto hapësira të mbushen me lexues dhe aktivitete të ndryshme, që të afrojnë sa më shumë qytetarë.

Veliaj theksoi se nuk ka nisje më të mirë për vitin 2018 se sa përfundimi i këtij projekti, ndërsa u shpreh se Bashkia e Tiranës synon që këto investime t’i shpërndajë në çdo lagje.

“E fillojmë vitin 2018 me një bibliotekë moderne, e cila ka vendosur shembullin se çfarë quhet hapësirë publike cilësore në komunitet. Është shumë e rëndësishme që të kemi ndërtesa me hapësira ikonë për ngjarje kombëtare, por besoj se ajo që është më e rëndësishme është se nëpër lagje të kemi të njëjtën cilësi që kemi parë te sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Parku Olimpik apo Bulevardi i Ri”, u shpreh ai.

Për t’i kompletuar këto biblioteka, edhe me bazën e nevojshme për lexim, Veliaj tha se është e nevojshme bashkëpunimi dhe kontributi i të gjithëve, ashtu siç edhe vepruan këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës të cilët dhuruan një fond modest librash.

 

Top Channel