Parlamenti diskuton të tjera masa shtrënguese; protesta në Athinë

12/01/2018 19:26

Në kohën që brenda Parlamentit grek diskutohej lidhur me një paketë tjetër masash shtrënguese që qeveria Tsipras do të ndërmarrë gjatë këtij viti, si kusht prej kreditorëve të saj për shpëtimin e vendit nga falimenti, jashtë Parlamentit mijëra grekë protestonin.

Në drejtimin e Sindikatës së Përgjithshme greke, por edhe të Partisë Komuniste, protestuesit kërkuan anulimin e projektligjit të Qeverisë, pasi siç thanë ata, kalimi i tij në Parlament do të gjunjëzojë edhe më shumë familjet dhe shtresat në nevojë.

Sindikatat akuzojnë Qeverinë se nuk po bën sa mundet për parandalimin e mëtejshëm të varfërimit të grekëve, ndërsa paketa e re ligjore, përveçse rrit taksat, ul pensionet, varfëron shtresat në nevojë, por edhe iu pakëson grekëve një sërë të drejtash themelore, siç është e drejta e grevës, apo krijon mundësi pushimesh në masë pa asnjë dëmshpërblim.

E ndërsa Qeveria thotë se s’ka asnjë rrugë tjetër veçse votimin në Parlament të paketës ligjore, qindra protestues u përleshën jashtë me forcat e rendit gjatë një tentative të tyre për të hyrë brenda në sallë.

Policia përdori gazin lotsjellës,ndërsa protestuesit qëlluan me shkopinj kundër forcave të rendit.

Prej përdorimit të kimikateve, disa protestues patën probleme me frymëmarrjen dhe kërkuan ndihmën e parë në spitalet e zonës.

Sindikatat thanë se protestat e tyre do të kulmojnë më datën 15 janar, ditë që pritet të votohet nga Parlamenti paketa e re ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA