Është një mesazh të cilin Brukseli e ka përcjellë qartë kohët e fundit përmes disa zyrtarëve të ndryshëm: 2018-ta duhet konsideruar një vit kyç për Shqipërinë dhe arsyet janë disa. Vendi është shumë pranë çeljes së negociatave të anëtarësimit në muajt në vijim, do të jenë vendimtare për rrugën drejt BE-së.

Tabloja do të përvijohet më qartë në muajin prill kur Komisioni Europian të paraqesë progres-raportin për Shqipërinë. Por ndërsa pritet për tu parë se çdo ndodhë më pas, komisioneri i Zgjerimit Johanes Hahn ndau me shqiptarët optimizmin se vlerësimet do të jenë pozitive dhe u kujtoi se nuk ka pasur feedback negativ nga asnjë prej vendeve anëtare të bllokut.

Përpos kësaj, komisioni nxjerr muajin e ardhshëm strategjine e tij të zgjerimit- dokument ky me një vizion të qartë për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë sigurisht edhe Shqipërinë. Pa harruar me tej se Brukseli e mirëpriti ngritjen e institucioneve të vetingut dhe i mëshoi rëndësisë që ka suksesi i tyre, si hap përpara drejt implementimit të reformës së drejtesisë në vend.

Këto janë të gjithë argumente që e rëndojnë peshoren në anën e pozitivitetit. Por e vërteta është se Shqipëria, thotë Europeanwesternbalkans, vazhdon të ketë një rekord të dobët në hetimin dhe ndjekjen penale të figurave kryesore në trafikun e drogës e aktivite të tjera të krimit të organizuar, siç vërente dhe raporti i Freedom House për vitin e kaluar.

Korrupsioni brenda sektorit publik mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit drejt BE, e nuk është çudi që për çdo herë kur zyrtarët e lartë europiane kujtojnë arritjet e premisat e mira të anëtarësimit, i bashkangjisin pohimeve të veta edhe nevojën për një zbatim rigoroz të reformave. Një problem tjetër me të cilin përballet vendi është ai i emigrantëve në BE, sepse numri i njerëzve që mbërrijnë atje nga Shqipëria është ndër më të lartët.

Vetëm në Francë, thotë kreu i Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve, Paskal Brice, ku shifrat e azilkërkuesve mbërriten nivelin më të lartë në 40 vjet, listën e kërkesave e mbizotëronte Shqipëria.

 

Top Channel