Ndërhyrja ruse, Bannon do të dëshmojë para komitetit hetimor

11/01/2018 22:10

Ish-kryestrategu i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Bannon do të merret në pyetje gjatë javës së ardhshme nga komiteti amerikan i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Lajmi bëhet i ditur këtë të enjte nga një person me njohuri mbi këtë çështje, që ka preferuar të mbetet anonim, ndërkohë që marrja në pyetje do të bëhet ditën e martë.

Intervista ndaj tij do të fokusohet në kohën kur Bannon ishte drejtues i fushatës presidenciale, e jo për periudhën tranzitore, apo kohën kur ishte këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, thotë më tej burimi në fjalë i agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Një ndihmës i përfaqësuesit republikan Devin Nunes, kreu i Komitetit hetimor, refuzoi të komentonte mbi këtë zhvillim. Paktika e komitetit është e tillë që të mos komentojë mbi dëshmitarë specifikë, apo për planin e dëshmive gjatë seancave jopublike dëgjimore.

Ndërkohë, përfaqësuesi tjetër Adam Schiff, demokrati më i lartë i panelit, u tha reporterëve këtë të enjte se do të donte të ftonte edhe një “duzinë” dëshmitarësh, përfshi Bannonin, për të dalë përpara komitetit, duke e bërë të qartë se nuk mendon se hetimi ndaj Rusisë dhe zgjedhjeve do të marrë fund së shpejti.

Disa prej republikanëve më të afërt me Trumpin në Kongres kanë thënë së fundi se, presin që hetimi i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, por edhe hetimet e tjera nga Kongresi, të marrin fund së shpejti.

Demokratët e kanë kundërshtuar këtë, duke thënë se ka ende shumë punë për të bërë, për të përcaktuar nëse Rusia tentoi të ndikonte në zgjedhjet amerikane, në emër të Trumpit, ose nëse Trump ka bashkëpunuar me ta.

Moska mohon të ketë ndërhyrë në zgjedhje, sikurse edhe Trump refuzon çdo bashkëpunim të mundshëm.

Përveç Bannonit, Schiff u tha reporterëve se do të donte që mes dëshmitarëve të përfshihej edhe vajza e Trumpit, Ivanka, ndërsa sa i përket dhëndrit të presidentit, Jared Kushner, do të preferonte që të dilte sërish përpara komitetit, edhe pse theksoi se përzgjedhja e dëshmitarëve përcaktohet vetëm nga drejtuesit e panelit hetimor, që në këtë rast janë republikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA