Kreu i Autoritetit Kombëtar Antikorrupsion në Itali, Raffaele Cantone mendon se për të luftuar korrupsionin në Shqipëri duhen marrë masa për ta parandaluar atë, sikurse janë forcimi i Prokurorisë dhe i sistemit gjyqësor.
Për shkak se Ministria e Drejtësisë ka rolin e koordinatorit të strategjisë kombëtare antikorrupsion, gjatë një takimi me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, është diskutuar për një marrëveshje dy palëshe që do synojë bashkëpunim dy palësh.
“Unë besoj se duhen vënë në praktikë një sërë veprimtarish që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionit . Shqipëria ka një sërë institucionesh dhe autoritetesh që merren prej kohësh me këtë çështje. Nevojitet të krijohen mekanizma koordinimi me këto autoritete që të bëjnë të dukshme që çfarë po ndodh. Jam i bindur që duhet punuar në dy drejtime, transparence e autoriteteve administrative, jo vetëm të organeve qendrore, por edhe atyre lokale, konfliktin e interesave, të punohet për të shmangur që zyrtarët e pavarur të kenë konflikt interesi me interesat e administratës publike”, tha Raffaele Cantone.
Dhe mes atyre që do të përfshihen në sitën antikorrupsion pritet të jenë edhe 3500 policë të burgjeve, të cilët edhe ata do t’i nënshtrohen Vettingut.
Top Channel