Bushati në Itali në përurimin e Konsullatës së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës

11/01/2018 14:39

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i ndodhur në Itali në përurimin e selisë së re të Konsullatës së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në Milano, ka kërkuar që ky të jetë modeli i bashkëpunimit edhe në vende të tjera.

“Nëpërmjet këtij bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ne shpresojmë shumë që edhe në vende të tjera ku ka një përqendrim të madh qoftë të shqiptarëve të Shqipërisë, qoftë të Kosovës, të kemi mundësi ta përsërisim modelin e suksesit në Milano, të cilin e kemi ndërtuar me shumë mund dhe pengesa gjatë këtyre muajve dhe këtyre viteve të fundit, për t’i shërbyer me dinjitet shtetasve tanë, për ta përfaqësuar Shqipërinë dhe Kosovën me dinjitet dhe për t’u ndarë nga periudha e emergjencës dhe për të ndërtuar një strategji të mirëfilltë të pranisë së Shqipërisë dhe Kosovës, nëpër ato qendra jo vetëm vendimmarrëse dhe ku ka jetë biznesi, siç është Milano por edhe aty ku ka një prezencë të madhe të shqiptarëve”, tha Bushati.

Kreu i diplomacisë theksoi se konsullata është “shtëpia e shqiptarëve”, jo vetëm për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, por edhe sepse ofron informacion dhe analizë rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe potencialeve të turizmit dhe ekonomisë për të tërhequr investimet e huaja.

Top Channel