Vëzhgimi i fëmijëve në klasë të dytë, në shkolla të qarkut të Tiranës tregon se një pjesë e mirë e fëmijëve janë të kequshqyer. Shifrat më të larta janë në Kamëz ku dhe zhvillimi fizik i 8 vjeçareve është i mangët sepse fëmijët hanë vetëm njëherë në ditë. Në kryeqytet është rritur numri i të miturve obezë. Probleme edhe me shikimin, aq sa fëmijët nuk ndjekin dot mësimin.
Duke vrapuar secili për të kapur ritmin për të bërë karrierë apo dikush tjetër për të siguruar të paktën bukën për familjen, është harruar se si po rriten fëmijët. Një studim i bërë nga Autoriteti rajonal shëndetësor me fëmijë të klasave të dytë të moshës 8 vjeç ka nxjerrë në pah dy anët negative të rritjes së fëmijëve.
Në Kamëz gjen fëmijë të kequshqyer, nën peshë dhe të shkurtër. Ndërsa në Tiranë në këtë moshë gjen fëmijë obezë.
“Rreth 4% e fëmijëve janë në peshë. Del e qartë se disa fëmijë ushqehen deri në një herë në ditë. Kryesisht këto ndodhi në Bashkinë e Kamzës, ndërsa pjesa tjetër ka më tepër probleme me obezitetin, mbipeshën. Një problem i madh tek fëmijët 7-8vjeç”, u shpreh Dritan Ulqinaku – drejtor i Autoritet Shëndetësor Rajonal.
Studimi është bërë në 15 shkolla të ciklit fillor në Tiranë dhe Kamëz ku janë intervistuar 800 nxënës dhe ku me përgjigjet e tyre të sinqerta ngrenë alarmin për fëmijët që po rriten. Por studimi, i cili përveç matjes trupore kishte dhe qëllim shikueshmërinë ka nxjerrë në dukje një tjetër shqetësim madhor ku fëmijë të kësaj moshe kanë mangësi të theksuara në shikim.
“Gjetëm fëmijë që nuk arrin të ndiqnin mësuesen, sepse nuk kishin bërë një vizitë tek okulisti. Kishin probleme me mësimet sepse nuk shikonin dot”, tha Dritan Ulqinaku.
Por përveçse për prindërit ky studim duhet të jetë një kambanë alarmi për institucionet që të ndërhyjnë menjëherë nëpërmjet programeve të tyre për të parandaluare këto shqetësime që cenojnë fëmijët tanë.
Top Channel