Task Force Qendrore Ndërinstitucionale është mbledhur këtë të mërkurë për planin e veprimit kundër krimit të organizuar “Forca e Ligjit”.
Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ai i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, zv. drejtori i SHISH, Helidon Bendo, drejtori i përgjithshëm i komanduar i Policisë, Rebani Jaupaj dhe kreu i SHÇBA-së Eduart Merkaj, ranë dakord për përmirësimin e kuadrit normativ që lehtëson këtë bashkëveprim.
Në këtë kuadër përfshihen dhe marrëveshjet e protokollet e bashkëpunimit përkatës, në respekt të kuadrit ligjor në fuqi.
Nga ana e tij ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj njohu anëtarët e Task Forcës Qendrore Ndërintitucionale me ecurinë e procesit gjatë muajit dhjetor 2017.
Palët diskutuan mbi rolin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, koordinimin e procesit dhe garantimin e mbështetjes në vijim, për Task Forcën Speciale në nivel qendror dhe rajonal, si struktura të posaçme të ngarkuara me përgjegjësi operacionale.
Ata u dakordësuan për mbështetjen që secili prej tyre do t’i japë këtij procesi përmes Agjensive respektive të zbatimit të ligjit.
Top Channel