“Fiks Fare”, lagjja në Cërrik që rrezikon të përmbytet nga firma e inerteve

10/01/2018 20:35

Banorët e Lagjes Nr. 3 në Cërrik iu drejtuan emisionit “Fiks Fare”, pasi rrezikojnë të përmbyten nga lumi Shkumbin, së bashku me shtëpitë e tyre 100-vjeçare.

Në zonën ku ata jetojnë, firma “Vëllezërit Sherifi sh.p.k”, e pajisur me leje shfrytëzimi, gërryen në shtratin e Shkumbinit. Prej më shumë se 10 vitesh, askush nuk e ka kontrolluar veprimtarinë e saj, apo dëmet që ajo ka shkaktuar në zonë.

Në datën 25 prill të vitit 2017, Këshilli Kombëtar i Ujit ka miratuar vendimin që i jep leje këtij subjekti të rehabilitojë zonën.

“Jemi këtu prej 100 vitesh. Përmbytemi vazhdimisht, por reshjet e fundit e kanë vështirësuar situatën. Gjithmonë përpara zgjedhjeve kanë ardhur përfaqësues politikë, na kanë premtuar, i kemi votuar, por asgjë s’kanë bërë”, shprehet një nga banorët e zonës.

Një tjetër thotë se firma “Vëllezërit Sherifi” ka mbi 10 vite që gërryen dhe vazhdon ta bëjë, pasi askush s’e ka ndaluar.

“Shiheni, kjo është shtëpia ime e vjetër e ndërtuar 100 vite më parë. Këtu jemi në lagje, por realisht shihni ku ka arritur uji, është e frikshme”, shprehet një zonjë, banore e Cërrikut.

“Fiks Fare” iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë. Sipas përgjigjes zyrtare, firma “Vëllezërit Sherifi sh.p.k” ka marrë një leje rehabilitimi, e cila është miratuar në datën 25 prill të vitit 2017, sipas së cilës ajo është e detyruar të rehabilitojë zonën, të investojë në mbjelljen e 1.000 pemëve të tipit plep dhe shelg, si dhe të krijojë një trup mbrojtës në shtratin e lumit.

Po sipas kësaj përgjigjeje zyrtare, rehabilitimi do të kryhet gjatë të gjithë vitit, për një periudhë 5-vjeçare. Për zbatimin e këtj vendimi është ngarkuar Agjencia e Basenit Ujor Shkumbin, Elbasan.

“Fiks Fare”, pasi konstatoi në terren se rehabilitimi nuk është nisur nga kompania, iu drejtua Agjencisë së Basenit Ujor Shkumbin, Elbasan. Ky institucion, nëpërmjet dy përgjigjeve zyrtare tha se ky subjekt nuk po kryen rehabilitim në lagjen e çamëve, pasi zona e përcaktuar për rehabilitim është zona e Muriqanit, në kundërshtim me vendimin, i cili përcaktonte qartë se lagjja e çamëve duhej t’i nënshtrohej rehabilitimit.

Zona e rehabilitimit është spostuar 1.4 km larg lagjes së banuar, pasi Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, konkretisht Drejtoria e Hidrogjeologjisë, nëpërmjet një shkrese zyrtare i është drejtuar firmës, ku thuhet se në këtë zonë nuk mund të kryhet rehabilitimi, pasi aty ndodhet kaptazhi që furnizon me ujë të gjithë qytetin e Cërrikut. Nëse ndërhyhet në këtë pjesë ka rrezik që të mund të dëmtohet.

Agjencia e Basenit Ujor Elbasan tha për “Fiks Fare” se do të inspektojë në terren për të parë sesi subjekti po e zbaton projektin rehabilitues. Më pas, ABU do të marrë masa duke ia përcjellë informacionin Prefektit të Qarkut Elbasan, si dhe Këshillit të Basenit Ujor Shkumbin.

Po kjo agjenci pohoi se, parashikohet që në mbledhjen e radhës të KBU Shkumbin të futet në rend të ditës anulimi i vendimit të dhënë për subjektin. Duket kontradiktore, pasi edhe pse inspektimet ende s’janë kryer, KBU do të anulojë vendimin e dhënë për subjektin.

Pra, vet institucionet e lejuan këtë firmë të gërryente materiale inerte edhe në zonën e kaptazhit, e vet institucionet thonë tani se në këtë zonë ndërhyrja për rehabilitim është e pamundur. E ndërsa askush s’mban përgjegjësi, banorët e Lagjes Nr. 3 në Cërrik rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel