Ndërkohë që ligji për Vettingun në polici është shpërndarë për mendim, proces që do të kalonte të parin në filtër Haki Çakon si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Këshilli i Ministrave e ka liruar atë nga detyra pas një propozimi të hershëm të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Duke qenë i propozuar në detyrë nga ish-ministri Tahiri, me të cilin bashkëpunoi ngushtësisht përgjatë 3 vjetëve, ky shkarkim i sot kryepolicit Haki Çakos mund të interpretohet pa frikë si shkarkimi i dytë i Saimir Tahirit.

Ajo që flitej prej muajsh në korridoret e policisë u zyrtarizua këtë të hënë. Haki Çako nuk do të jetë më Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pas një periudhe prej më pak se 3 vjetësh në krye të uniformave blu, drejtues madhor Haki Çako u lirua nga detyra nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ajo që bie në sy në njoftimin e Ministrisë së Brendshme është vlerësimi për Haki Çakon. Deklarata përdor tre fjalë: Vlerësim për kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit. Deklarata vijon më pas me evidentimin e karrierës së gjatë në Polici të Haki Çakos, gjatë së cilës ai ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.

Megjithatë thuhet në njoftim, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme pohon se mes ministrit dhe drejtorit të liruar të policisë ka pasur një takim, ku vlerësimet por edhe pretendimet që shkruhen në deklaratë janë thënë në sy. Në fakt marrëdhëniet e ministrit Xhafaj, që kur zëvendësoi Saimir Tahirin në pranverë të vitit të kaluar, kanë qenë gjithmonë të ftohta me ish-drejtorin e përgjithshëm të policisë. Madje zoti Çako është i fundit drejtor i lartë i policisë i epokës Tahiri që lirohet nga ministri Xhafaj, pas lëvizjeve në disa drejtori qarqesh.

Burimet për Top Channel konfirmojnë se ministri Xhafaj e ka kërkuar shkarkimin e Haki Çakos që në fillim të mandatit të ri qeverisës, por deri sot kryeministri Rama nuk e kishte firmosur. Nuk dihet çfarë e ka bindur kryeministrin, por procesi i Vettingut që pritet të fillojë në policisë e shtetit dhe gardën e republikës të parin do të kalonte në filtër pikërisht Haki Çakon.

Në krye të policisë së shtetit për momentin është komanduar zv\drejtori aktual i uniformave blu, Rebani Jaupi, i cili në bazë të ligjit do të kryejë detyrën funksionale deri në emërimin e drejtorit të ri. Ndërkohë nuk dihet se ç’funksion do të mbajë Çako pas lirimit nga detyra si kryepolici i vendit.

Haki Çako u emërua në këtë detyrë në prill të 2015-ës duke zëvendësuar Artan Didin, i cili dha dorëheqjen pas skandalit të dosjes “Frroku” në lidhje me fshehjen e të dhënave nga zyra e Interpol Tirana.

Top Channel