Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet me Radar e Drager në rrugët e brendshme të Tiranës dhe në autostradën Tiranë -Durrës, për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi, të atyre drejtuesve që drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, duke u bërë burim aksidenti për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Policia Rrugore gjatë 48 orëve të fundit ka pezulluar 92 Leje Drejtimi, si dhe ka arrestuar 8 drejtues mjetesh. Kontrolle me Radar pothuaj gjatë gjithë orëve të natës nga e premtja deri të dielën për parandalimin e shpejtësisë sidomos në qendra të banuara, por dhe në autostradë.
Në drejtim të shpejtësisë në autostradë dhe në qendrat e banuara, Policia Rrugore gjatë 48 orëve të fundit ka evidentuar dhe ndëshkuar 56 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara. Shpejtësia në autostradë vijonte nga 130 km/orë deri në 195 km/orë.Në qendrat e banuara shpejtësia kalonte dy deri në tre herë më shumë se limiti i lejuar, nga 81 km/orë deri në 109 km/orë.
Për sa i përket drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh që drejtonin automjetet në gjendje të dehur apo tej mase të dehur. Masa e alkoolit varionte nga 0.56 mg/l deri në 2.41 mg/l.
Kjo sasi e madhe alkooli deri ne 2.41 përbën një rrezik shumë të madh për jetën e drejtuesit të mjetit dhe të përdoruesve të rrugës. Si dhe është arrestuar një drejtues mjeti që drejtonte automjetin i pa pajisur me Leje Drejtimi.
Gjithashtu janë pezulluar 26 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, por jo deri në kufijtë e dehjes. Masë alkooli e konsumuar varionte nga 0.29 mg/l deri në 0.47 mg/l, Por nga kontrolli me Drager janë evidentuar një numër i madh drejtues mjetesh që nuk kishin konsumuar alkool ose kishin konsumuar shumë pak, 0.00 mg/-0.18 mg/.
Gjithashtu janë pezulluar dhe 10 Leje Drejtimi për shkelje të tjera. Kontrollet kanë konsistuar edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ku për 48 orët e fundit janë vendosur 95 masa për mos përdorim rripin e sigurimit, 120 masa për parakalim të gabuar, 117 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit, 11 masa për mos respektim të sinjalistikës së semaforit, 52 masa për ata që qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse si dhe pa kontroll teknik të mjetit, etj., si dhe 450 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë bllokuar dhe 8 mjete për mos-shlyerje të masave administrative mbi 3 masa. Policia Rrugore e Tiranës, do vijojë kontrollet e pandërprera me Drager e Radar në të gjithë territorin e qarkut Tiranë me qëllimin e vetëm : Rritjen e sigurisë së jetës në rrugë . Policia Rrugore e Tiranës gjen rastin të falënderojë edhe njëherë të gjithë ata drejtues mjetesh që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Top Channel