Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria është në strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian që do publikohet në shkurt. Por, sipas kryeministrit vendi ynë mund të mos marrë hapjen e negociatave për anëtarësim nëse opozita PD –LSI bllokon zbatimin e reformës në drejtësi. Kryeministri i bëri thirrje Lulzim Bashës të punojë për Shqipërinë Europiane.
“Jemi rast unikal që reforma në drejtësi nuk shqetëson qeverinë, por opozitën. Prandaj, unë dua sot si të bëj një thirrje PD-së dhe kryetarit të saj: opozita duhet të përfaqësojë me dinjitet në këtë moment ambicien e atyre që kanë votuar për çeljen e negociatave për anëtarësim”, u shpreh Rama.
Për herë të parë kryeministri deklaroi se ndarja e PS-së me LSI-në ndodhi pikërisht për reformën në drejtësi.
“Qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë për të mos kompromentuar reformën në drejtësi ndau përfundimisht rrugët tona”, tha Kryeministri.
Për bilancin e 100 ditëve të qeverisjes Rama foli me tone pozitive për një ekonomi në rritje, por që sipas tij kjo ende nuk është e prekshme për njerëzit.
“Jemi shumë larg asaj që jemi zotuar dhe asaj që njerëzit presin”, tha Rama.
Tërhoqi vëmendjen dhe ndaj kryebashkiakëve që kanë rritur taksat tej hapësirës së lejuar, për çka do të ketë verifikim nga qeveria. U deklaroi dhe kushtin kryesor nëse kanë në plan rikandidimin në 2019-ën.
“Kush do të bëjë politikë personale me idenë që të mos prishem me këtë apo me atë, nuk do të jetë kandidat i PS në zgjedhjet e ardhshme. Një nga kriteret themelore për të mbështetur kandidaturat e zgjedhjeve të ardhshme lokale do të jetë suksesi në reformën e ujit i kryetarëve të bashkive”, tha Kryeministri.
Kryeministri premtoi se njësoj si prefektet, që sot janë ushtarakë në rezervë, një gjë e ngjashme do të aplikohet edhe për zgjedhjen e drejtorëve të burgjeve.
“Ushtarakët me eksperiencë të suksesshme në FA dhe me rol të rëndësishëm organizativ”, tha Kryeministri.
Asambleja e partisë socialistë shtoi në sekretariatin ekzekutiv edhe një sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare. Bledi Çuçi u bë sekretar për çështjet zgjedhore.
Top Channel