Për Lulzim Bashën frikë nga Reforma në Drejtësi ka kryeministri Rama. Nga Fieri kryetari i Partisë Demokratike tha se prova për këtë ishte emërimi nga socialistët i kryeprokurorit të përkohshëm pa vetting. Basha akuzon Ramën edhe për bllokimin e SPAK dhe BKH, organet që që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
“Vettingu, e mbani mend, sa herë i kërkonim llogari Edi Ramës. Ku e ke shëndetësinë falas, thoshte vettingu. Ku i ke 300 mijë vendet e punës, thoshte vettingu. Shqipëria e mbushur me drogë dhe krim, vettingu. Akuzonte nga mëngjesi deri në darkë opozitën, se po bllokonte vettingun. Po sot? Përse e ka zgjedhur kryeprokurorin pa vetting? Përse e ka bllokuar ngritjen e SPAK-ut dhe BKH. Përgjigjja është e thjeshtë dhe e qartë. Sepse Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, janë në panik dhe të tmerruar. Ata e kanë jetike pengimin e drejtësisë së vërtetë, pengimin e reformës në drejtësi”
Basha deklaroi se kthimi i pasaportës së Saimir Tahirit nga gjykata dhe lirimi i Orest Sotës janë fakte të kapjes së drejtësisë nga Rama përmes kryeprokurorit. Kjo sipas kreut të PD-së, korrupsioni, krimi, dhe vjedhja e zgjedhjeve, janë produkt i një qeverie ilegjitime.
“Është iluzion për këdo të besojë që një qeveri dhe një kryeministër i zhytur në krim dhe i kapur nga krimi, do të ketë vullnet të zbatojë reformën në drejtësi, do të ketë vullnet të bëjë reformën zgjedhore dhe të ushtrojë detyrat që qeveria ka, për të garantuar votën e qytetarëve.”
Aksioni opozitar do të përqëndrohet tek problemet ekonomike të qytetarëve dhe largimi i qeverisë Rama.
“A jemi gati t’i rikthejmë qytetarëve shqiptarë jo vetëm paratë e vjedhura nga kjo klikë kriminale dhe korruptive, por edhe shpresën se e nesërmja duhet dhe do të jetë demokratike, e lirë dhe europiane siç e dëshiron çdo shqiptar? Jam i bindur që po! Ju bëj thirrje ta mbledhim gjithë këtë energji pozitive dhe ta derdhim në sheshet e protestës popullore. Liri, demokraci!”, tha Basha.
Top Channel