Mandatet e Rakipit dhe Rehovicës; KQZ vendos: Nuk do jenë më deputetë

05/01/2018 14:47

Nga sot, Aqif Rakipi i PDIU-së dhe Gledion Rehovica i LSI-së nuk janë më deputetë të Parlamentit të Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u hoqi mandatet pas kërkesës së Prokurorisë, në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Mbledhja e sotme e KQZ-së ishte vazhdim i mbledhjes së datës 3 janar, e shtyrë për të marrë informacione shtesë për të dy deputetët. Prokuroria e akuzoi Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën se i ishin shmangur deklarimeve ne formularin e dekriminalizimit.

Të dy deputetët munguan në sallë dhe u përfaqësuan nga avokatët e tyre, Theodhori Sollaku, për deputetin Aqif Rakipi dhe Ardian Visha për deputetin Gledion Rehovica. Të dy avokatët kërkuan që kërkesa e prokurorisë të mos merrej parasysh për mungesë provash.

Pas diskutimeve KQZ vendosi me 5 vota pro dhe asnjë kundër për heqjen e mandateve të deputetëve Rakipi dhe Rehovica. Në votim nuk morën pjesë anëtari i KQZ-së Gëzim Veleshnja, i propozuar nga LSI, dhe Hysen Osmanaj, i propozuar nga Partia Demokratike, që mungoi në mbledhje. Vendimi u mor me dyer te mbyllura, përpara se të bëhej publik.

Vendimi i KQZ mund te ankimohet nga deputetët brenda 45 ditëve në gjykatën administrative. Vendimi u përshëndet menjëherë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e cila shkruajti në faqen e saj në “Facebook” se kjo është një provë se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit vazhdon.

Sipas listave shumëemërore, Aqif Rakipi pritet të zëvendësohet nga Dritan Bici, ndërsa vendin e Gledion Rahovices, pritet ta zërë Silva Caka.

Top Channel