Bashkia e Dropullit përfiton një prej granteve bashkiake më të ulëta në Shqipëri që, sipas nënkryetarit Mihal Mano, nuk përkon as me shtrirjen territoriale dhe as me popullsinë rezidente.
Prej vitesh, thotë Mano, i është kërkuar qeverisë të njohë si fakt numrin prej 22 500 banorësh të regjistruar në regjistrat e gjendjes civile ose të paktën 10 000 banorë të përhershëm. Censusi i vitit 2011 i njohu Dropullit vetëm 2600 banorë, numër joreal sipas banorëve dhe i pamjaftueshëm që të garantojë kapacitete lokale në hartimin e planeve të rregullimit vendor.
“Duhet të korrigjohet për 10 mijë banorë, pasi dëmi ekonomik është i gjithanshëm. Duhet të rivitalizojmë vendin, që njerëzit të kthehen dhe të mos humbasë shpresa”, shprehet Mano.
Bashkia e Dropullit, me rreth 40 fshatra, u krijua prej bashkimit të njësive Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm dhe Pogon. Në 80% të numrit, banorët rezidentë i takojnë moshës së tretë, çka është një tjetër penalitet në llogaritjen e grantit. Bashkia e Dropullit dhe ajo e Finiqit, ku banon popullsi e minoritetit etnik grek, kanë drejtuar kërkesa për t’u drejtuar si raste të veçanta për shkak të nevojave specifike.
Top Channel