Trump kërcënon palestinezët: ‘Do ndalim financimet’

03/01/2018 10:13

SHBA mund të ndalë pagesat për palestinezët që nuk duan të vijojnë bisedimet për paqen. Në një postim në Twitter, presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA nuk merrte vlerësim dhe as respekt pavarësisht ndihmave të saj për palestinezët.

Ai tha se njohja e qytetit të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit e vendosi çeshtjen kontraversiale jashtë tryezës së bisedimeve për paqen. Palestinezët kanë thënë se lëvizja tregonte se SHBA nuk mund të ishte më një ndërmjetësues neutral i bisedimeve. Menjëherë pas publikimit të vendimit të Uashingtonit në dhjetor, presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se ai nuk do të pranonte asnjë plan amerikan paqeje për Lindjen e Mesme. Vendimi për Jeruzalemin i dënuar gjerësisht edhe në Kombet e Bashkuara, ku 128 shtete votuan kundër përmbushjes së një premtimi elektoral të Donald Trump.

Presidenti amerikan, më herët bëri komente edhe për ndihmat për Pakistanin, ku tha se SHBA kishte marrë vetëm gënjeshtra dhe zhgënjim në këmbim të miliarda dollarëve ndihma. Postimet e Trump në Twitter pasuan komentet e Nikki Haley, e dërguara amerikane në Kombet e Bashkuara, që tha se SHBA do të ndalonte kontributet për agjencinë e Kombeve të Bashkuara që ndihmonte refugjatët palestinezë.

Agjencia merret me programet e edukimit, shëndetësisë dhe ato sociale. SHBA është donatori më i madh qeveritar me rreth 370 milionë dollarë të dhuruara në 2016. Në një konferencë për shtyp, Haley tha: “Presidenti ka thënë qartë se ai nuk do të japë fonde shtesë ose do të ndalë financimet deri sa palestinezët të pranojnë të kthehen në tryezën e negociatave. Tërheqja e financimeve amerikane do të ketë pasoja të ndjeshme në agjencinë e OKB, pasi SHBA kontribuon me rreth 30 për qind të financave totale të saj. Në 2016, donatori i dytë më i madh, Bashkimi Evropian dha më pak se gjysmën e fondeve të dhuruara nga SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA