Fshati Narç është një fshat me rreth 1500 banorë që ndodhet në Bashkinë e Vaut të Dejës, në të cilin prej 20 vitesh fshatarët janë pa tokë dhe për të jetuar marrin me qira ose blejnë toka në zonën Lezhës.

Sipas banorëve, toka u është marrë nga fshatrat kufitare dhe pavarësisht ankesave që ata kanë bërë, asgjë nuk është zgjidhur.

“Ka 27 vjet që ne jemi pa tokë. Unë gëzoj të drejtën e pronësisë, por nuk e disponoj tokën. Kam 10 vjet që e kam marrë certifikatën e pronësisë, por nuk e gëzoj tokën”, tha një nga banorët.

“Ne kërkojmë tokën që na është mohuar prej 27 vitesh dhe që vetë ligji 7501 na e ka dhënë. Me ligj e kemi ne, por na e kanë zaptuar të tjerë, që thonë se janë më të fortë se shteti”, u shpreh një tjetër banor.

Si të mos mjaftonte problemi i tokës, këta banorë ankohen dhe për mungesën e rrugës, pasi sipas tyre, në 27 vite demokraci në këtë fshat nuk është bërë asnjë investim.

“Ne nuk kemi as tokë, as rrugë, as kanale kulluese dhe asgjë. Edhe rrethimi i shkollës mungon. Trajtimi ndaj nesh është si të mos jemi shtetas të këtij vendi. Në 27 vite demokraci, nuk kanë bërë asnjë investim në fshatin tonë, pavarësisht se vijnë e an gënjejnë çdo 4 vjet”, shprehen të indinjuar banorët.

Pa tokë e pa rrugë, banorët e Narçit ndihen të braktisur nga shteti dhe premtimet që u janë bërë çdo 4 vite në kohë fushatash, kanë qenë sipas tyre të pavërteta dhe për t’u marrë votën.

Top Channel