Me “plumba” kundër dritave, qëllohen linjat. Tirana sërish pa energji

02/01/2018 15:13

Linja 110 kv e OST në Babrru është dëmtuar për të dytën natë rresht me plumbat armëve te zjarrit. Përcjellësi është këputur nga një plumb që ka depërtuar tej për tej duke sjellë sërish ndërprerje të energjisë elektrike në nënstacionin e uzinës së Traktorëve dhe zonës së Kinostudios.

Ekspertët në terren kanë evidentuar dëmin që ka shkaktuar plumbi, që si pasojë la për minuta të tëra pa energji eletrike të gjithë pjesën juglindore të kryeqytetit. Ashtu si një ditë më parë, edhe punonjës të autorizuar të OST kanë kryer denoncim pranë prokurorisë për këtë ngjarje te cilen e kane cilesuar si të qëllimtë.

“Në drejtim të linjave të nënstacioneve elektrike është qëlluar me armë. Nuk kemi pasur probleme teknike. Ndërprerja e energjisë ka ardhur nga faktorë të jashtëm. Kemi prova që është qëlluar me armë dhe kemi bërë kallëzim në polici. Defektet janë rregulluar tashmë”, tha Leonidha Londo, drejtues i njësisë operative , Tiranë

Energjia elektrike është rikthyer rreth orës 13.00. E njëjta ngjarje u regjistrua edhe në natën e ndërrimit të viteve, nga ku rezultoi se linja ishte qëlluar me armë zjarri dhe në vendin e ngjarjes u gjetën edhe gëzhojat e plumbave. Pa energji elektrike mbetën për disa orë zona të tëra të kryeqytetit si ish kinostudio, Fresku, Alliasi e Ali Demi, Sauku, Tufina etj. Grupet e punës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit riparuan linjen 110 kv në Babrru dhe energjia elektrike është rikthyer normalisht.

Top Channel