Punimet për pjesën e mbetur, të Bulevardit të ri, për pak kohë sipas Bashkisë së Tiranës do të mbërrijnë në fund. Sipas kryebashkiakut Veliaj hapja e segmentit të dytë të bulevardit, do të bëjë të mundur lidhjen e tij me rrugët dytësore të zonës.

“Jemi duke punuar në gjysmën e dytë të segmentit dhe është çështje kohe sa të prekim Bregun e Lumit, aty ku Bulevardi bashkohet me projektin e Parkut Qendror, për të krijuar ndoshta projektin më të madh inxhinierik dhe infrastrukturor për Tiranën. Kemi mbaruar me shumicën e punimeve, po presim për pak mot të mirë, që të kemi mundësi të vazhdojmë me asfaltin. Siç e shikoni, pjesa më e madhe e Bulevardit është pjesa e parkut, pra pjesa ku kalohet kohë me këmbësorët, ku ulesh në një stol, ku ke korsinë e biçikletave, apo pistën e vrapit”, tha Veliaj.

Duke qenë se skaji tjetër i Bulevardit të Ri do të jetë sheshi Nene Tereza, mbyllja e tij në afërsi të bregut të lumit do të jete me një tjetër shesh.

“Kemi marrë edhe një vendim përsa i përket mbylljes ceremoniale të Bulevardit. Duke qenë se Bulevardi fillon me sheshin “Nënë Tereza”, pastaj me godinat dhe sheshin Skënderbej në mes, do të kemi një përfundim të ngjashëm edhe në pjesën e Bregut të Lumit, me një elips, shkallaret, kolonat dhe një hapësirë të madhe për aktivitete publike. Kjo do të jetë mbyllja ceremoniale në ekstremin tjetër të bulevardit, ku takon Lumin e Tiranës”, tha ai.

Përgjate Bulevardit të ri sipas Velaijt, përparësi do të ketë gjelbërimi i zonës me 400 pisha dhe 40 mijë shkurrëe, ndërsa sa i takon qarkullimit, do të kenë prioritet këmbësorët.

 

Top Channel