GËZUAR 2018!!! Top Channel ju shoqëron në një javë festive me programacion të larmishëm

01/01/2018 00:05

Në Tiranë, sheshi Skënderbej ishte epiqendra e festimeve, ku pjesëmarrësit në koncertin e organizuar nga Bashkia shijuan edhe spektaklin e fishekzjarreve dhe rrokën gotat në sekondat e para të këtij viti.

Me fishekzjarre ky vit u prit gjithashtu në qytetet kryesore të vendit, si në Shkodër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Fier e Korçë. Atmosfera festive pushtoi edhe Prishtinën dhe qytetet e tjera të Kosovës.

Fatmirësisht deri më tani nuk ka raportime për ndonjë incident, ndërkohë që Policia e Shtetit thotë se është në gatishmëri maksimale me masa sigurie shtesë.

Në “gatishmëri” është edhe Top Channel, që maratonën e programeve festive e nisi me “Parcela 400” dhe do ta vazhdojë përgjatë gjithë javës së parë të vitit me një programacion të larmishëm për të gjithë shqiptarët jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo ku ata jetojnë.

Mbrëmja e parë e vitit 2018 nis me show-n argetues “Shiko kush Luan”, ku personazhe të njohur të ekranit testojnë limitet e tyre në lojëra të ndryshme. Por, magjia e festave nuk mund të kuptohej pa filmat, për të gjitha grupmoshat.

“Kemi filmat për fëmijë që janë shumë të kërkuar. Një film vërtetë interesant është “Liza në botën e çudirave”, që ka marrë edhe çmimin Oscar, kemi edhe filma familjarë, por kemi edhe filma që zënë goxha peshë e që kanë marrë çmime si “Në kërkim të zotit Benks”, “Jetë në ajër” dhe “Terminali”. I gjithë programacioni shtrihet gjatë gjithë javës. Jemi përpjekur që vërtetë ta nisim ditën e diel, por ta çojmë deri të dielën tjetër festën e Vitit të Ri”, deklaron drejtorja e Programacionit e Top Channel, Vjollca Dedej.

Top Channel