Qytetet në të gjithë Evropën janë në gatishmëri në prag të natës së ndërrimit të viteve, ndërsa kërcënimi për sulme terroriste vazhdon të rëndojë mbi kontinent.
Në kryeqytetin spanjoll, Madrid, policia ka marrë masa shtesë sigurie, përfshirë ndalimin e kamionëve dhe furgonëve në qendër të qytetit gjatë festimeve. Numri i personave që do të mbushin emblematiken Plaza del Sol në qendër të Madridit për të pritur Vitin e Ri, do të reduktohet nga 25 në 20 mijë vetë.
Ministria e Brendshme italiane ka urdhëruar që masat e sigurisë të forcohen që para Krishtlindjeve e përgjatë të gjithë periudhës festive, përfshirë festën e fundvitit. Autoritetet lokale kanë rritur masat e sigurisë në zonat që pritet të mbushen me njerëz dhe atraksionet që zakonisht tërheqin vizitorë. Kufizime trafiku dhe përdorim i metal detektorëve janë pjesë e planit të sigurisë përgjatë festës së ndërrimit të viteve në Romë, me masa të shtuara përreth shesheve kryesore të qytetit.
Policë të armatosur do të patrullojnë rrugët e Londrës, ndërsa qyteti përgatitet të shënojë Vitin e Ri me spektaklin e tij tradicional të fishekzjarreve. Policia tha se një sërë masash sigurie janë marrë pas një serie sulmesh terroriste në qytet gjatë këtij viti. Qindra e mijëra njerëz pritet të mblidhen përgjatë brigjeve të lumit Tamiz për të mirëpritur 2018 me një spektakël fishekzjarresh që ka në qendër Syrin e Londrës. Gjatë 2017, ka pasur katër sulme terroriste në Londër.
Gjermania është në alarm një vit pas sulmit vdekjeprurës me një furgon mbi një treg Krishtlindjesh në Berlin. Barrikada përreth portave të Brandenburgut do të shërbejnë për të qetësuar të gjithë ata që do të dalin në festë. Do të ketë edhe një zonë të sigurt për gratë, pasi qindra prej tyre u molestuan dhe u grabitën në Këln natën e Vitit të Ri dy vjet më parë. Lëvizja është pritur me polemika, pasi, sipas shumëkujt, një zonë e sigurt për gratë dërgon një mesazh katastrofik.
Në Këln, policia tha se 1400 oficerë do të dislokohen në qendër të qytetit. Fishekzjarret do të ndalohen, ndërsa ka plane për më shumë kamera survejimi dhe ndriçim të përmirësuar. Ngjarjet në Këln zunë faqet e para të gazetave dy vjet më parë, kur grupe të rinjsh, në dukje afrikano-veriorë, molestuan qindra gra në qendër të qytetit.
Top Channel