Dy aksionerët amerikanë të kompanisë IRTC, e cila shfrytëzon ARMO-n, kanë hequr përgjegjësinë nga vetja për krizën, duke ia lënë atë partnerit të tyre shqiptar, biznesmenit Besnik Sulaj.

Përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë nga shoqëria GOMG Holdings, Herry Sargeant dhe Mustafa Abu Naba’a, thonë se prej muajsh i kanë shitur aksionet e tyre tek partneri shqiptar dhe nuk kanë më asnjë lidhje me kompaninë IRTC apo rafinerinë e Ballshit.

“Që nga maj 2017, kur u nënshkrua memorandumi për shitjen e aksioneve, zoti Sargent dhe Abu Naba’a nuk janë përfshirë në asnjë vendim të bordit të IRTC-së dhe vendimet e përditshme janë bërë nga partnerët vendorë”, lexohet në deklaratë.

Dy aksionerët amerikanë theksojnë se gjatë kohës që ata ishin pjesë e IRTC-së, ARMO ka punuar me kapacitet të plotë duke përpunuar thuajse të gjithë naftën e prodhuar në Shqipëri: “Z. Sargeant dhe z. Abu Naba’a janë të keqardhur nga lajmet për vështirësitë e rafinerisë, por ata janë hequr prej kohësh nga ndonjë rol në menaxhimin e kompanisë”.

IRTC arriti të merrte nën shfrytëzim ARMO-n në shtator të vitit 2016, përmes një marrëveshjeje me kreditorët e saj. Falë marrëveshjes, të cilën qeveria e cilësoi një sukses, IRTC ka shitur mbi 156 mijë tonë naftë në tregun vendas.

Por, ndonëse ka arkëtuar mbi 220 milionë euro nga shitja e naftës, kompania ka krijuar mbi 50 milionë euro borxhe ndaj tatimeve për taksa të papaguara.

Top Channel