Dhurata e festës, kryebashkiaku Veliaj me fëmijët e zjarrfikësve

30/12/2017 13:24

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpërndau dhurata për fëmijët e punonjësve zjarrfikës me rastin e festave të fundvitit dhe premtoi se përparësi gjatë vitit 2018 do t’i jepet modernizimit të kushteve të punës në këtë repart.

“Më vjen mirë që për herë të parë po vëmë dinjitetin e zjarrfikësit në vend. Qyteti i Tiranës e mbajti fjalën. Besoj se është e drejtë, është në dinjitetin e gjithë bashkive të tjera, që kur vjen puna tek zjarrfikësit, të jenë të parët që shpërblehen dhe kompensohen për mundin dhe sakrificën e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë se si japim imazhin e një qyteti që për të mirët, për ata që sakrifikojnë më shumë, për ata që punojnë më fort, nuk do të kursehemi sepse garantojmë jetën dhe sigurinë e qytetit tonë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shprehu mirënjohjen edhe familjarëve të punonjësve të shërbimit zjarrfikës: “Duke filluar nga unë si kryetar bashkie, por besoj edhe 1 milion qytetarët e tjerë, i falenderoj dhe jam shumë krenar për prindërit tuaj, të cilët janë heronjtë e qytetit tonë sepse i kanë dhuruar dhuratën e jetës cilitdo që i është rrezikuar jeta gjatë vitit 2017”.

Top Channel