Tenisi vendosi diktatin e tij për vitin 2017. Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Sportivë përzgjodhi Roger Federer dhe Serena Williams si sportistët më të mirë të këtyre 12 muajve.
Në procesin e votimit morën pjesë 517 gazetarë nga 112 vende të botës dhe rezultati ishte dukshëm në favor të sportit të raketës. Për meshkuj, Roger Federer, i cili e fiton këtë çmim për herë të katërt në karrierë, grumbulloi 928 vota për t’u kthyer te fitorja e këtij çmimi pas një dekade. Zvicerani në vitin 2017 u shfaq në një formë të shkëlqyer, pasi fitoi 5 tituj të rëndësishëm, ku përmendim sukseset në turnetë Grand Slam të Australian Open dhe Wimbledon.
Sportisti i dytë më i mirë sipas AIPS ishte Cristiano Ronaldo me 140 vota më pak sesa Federer, ndërkohë që podiumin e plotëson Lionel Messi me 530 vota, i ndjekur nga Lewis Hamilton dhe Rafael Nadal.
Për femra, mbretëresha është Serena Williams, për të cilën viti 2017 nuk do të harrohet lehtë, pasi ka përjetuar një sërë ngjarjesh emocionuese që kulmuan me lindjen e vajzës së saj. Serena Williams është fituesja e turneut të Australian Open, duke e çuar në 23 numrin e turneve Grand Slam në karrierë, duke thyer rekordin që mbahej nga Steffi Graff. Në kategorinë e femrave, beteja për sportisten më të mirë ishte shumë e ngushtë dhe këtë e tregon dhe diferenca e votave. 651 vota kishte Serena, e ndjekur në vendin e dytë nga notarja Hoshtu me 631, ndërsa në vendin e tretë gjendet atletja Allyson Felix me 495 vota.
Top Channel