I ftohti ekstrem ka mbërthyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, ndërsa metereologët parashikojnë se ngricat e thella do të vazhdojnë edhe në fillim të 2018-s.
Qyteti i International falls në shtetin amerikan të Minesotës, i vetshpallur kutia e akullt e kombit, pa temperaturat të binin në -38.3 gradë celsius. Ndërsa mali Uashington në New Hampshire, shtëpia e motit më të keq në botë, shënoi temperatura deri në -36,6 gradë celsius. Për ta ilustruar këtë, shkencëtarët në observatorin e këtij mali demonstruan se si uji i vluar shndërrohet brenda çastit në borë.
Autoritetet amerikane paralajmëruan banorët në zonat e prekura nga i ftohti ekstrem që të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjeve me automjete dhe mbi të gjitha të ekspozohen sa më pak ndaj të ftohtit. Presidenti Donald Trump përdori të ftohtin ekstrem për të përforcuar pikpamjet e tij për ndryshimin klimaterik, duke shkruan në Twitter se lindja e SHBA ka nevojë për pak ngrohje globale.
I ftohti ekstrem ka mbërthyer ashpër edhe Kanadanë, ku në disa zona temperaturat ishin më të ulta se në Polin e Veriut apo në planetin Mars. Megjithese pranuan se ky i ftohte është i pazakontë, kanadezët nuk janë ndalur në aktivitetet e tyre dhe veç paralajmërimit për kujdes, autoritetet thanë se nuk ka asnjë problem në lëvizjen e njerëzve.
Top Channel