Gjykata speciale në Kosovë. Paralajmërimi amerikan: Mos e prekni!

29/12/2017 17:15

Ambasada Amerikane në Prishtinë ritheksoi të premten se çdo përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte do të ketë pasoja të thella negative për të ardhmen e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.

Në një komunikatë të Ambasadës Amerikane thuhet: “Gjatë kësaj jave, udhëheqësit kosovarë kanë bërë deklarata të përsëritura publike duke thënë se një nismë lidhur me Gjykatën e Posaçme e ndërmarrë në Parlamentin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”.

Më 22 dhjetor, Kryesia e Parlamentit u mblodh dy herë për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të përfaqësueseve të LDK-së, Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, të cilët u thirrën nga ambasadorët e huaj, përpjekja dështoi. Megjithatë, reagimet e ndërkombëtarëve ishin të paprecedenta.

Ambasadori amerikan Greg Delaui e cilësoi nismën si thikë pas shpine, ndërsa të tjerë theksuan pasojat e rënda që do të sillte ajo për vendin. Ndërsa disa deputetë bënë një hap prapa duke u justifikuar se nuk e dinin mirë se për çfarë po firmosnin, kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi theksuan se do të respektonin vendimin e ligjvënësve, cilido të ishte ai.

Ndryshimi i ligjit për Gjykatën e Posaçme, sipas Thaçit, nuk do të dëmtonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA