Përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni kanë dorëzuar sot dorëheqjet e tyre nga postet qeveritare, duke i dhënë fund kështu koalicionit qeveritar.
Partia kishte dy ministra, tre zëvendës-ministra, një sekretar shtetëror dhe disa drejtorë të institucioneve qeveritare dhe publike. Por, pasi kryeministri Zoran Zaev nuk pranoi që postin e ministrit të Shëndetësisë t’ia lërë Aleancës, pas zgjedhjeve lokale, duke i ofruar në këmbim një post zëvendës-kryeministri për reforma në qeveri, partia shqiptare njoftoi tërheqjen për arsye parimore.
Ndërsa ofertën e bërë nga kryeministri Zaev, e quajti një nënçmim. Nga ana tjetër, përfaqësuesi në qeveri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, e cila bënte pjesë në Aleancën për Shqiptarët, vazhdon të mbetet ministër i Pushtetit vendor.
Krijimi i qeverisë së re të Maqedonisë, iu atribuua në një masë të madhe partisë së Ziadin Selës dhe votat e Aleancës për Shqiptarët në parlament ishin vendimtare për të.
Por, tani Aleanca për Shqiptarët, ka lënë të kuptohet se do t’i mbështesë reformat e mirëfillta që do ta afrojnë vendin drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht se nuk do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.
Top Channel