Solidaritet për festa, institucionet i përgjigjen ftesës së Bashkisë së Tiranës

28/12/2017 21:38

Të moshuarit dhe njerëzit në nevojë që frekuentojnë qendrat sociale nuk po ndihen vetëm në këto ditë festash.

Institucione të ndryshme shtetërore, ose jo, i janë bashkuar thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të ofruar një vakt për njerëzit në nevojë.

Këtë të enjte ka qenë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që ka ofruar një drekë festive për ata që frekuentojnë Qendrën Sociale në Bulevardin Zogu i Parë.

“Janë të rralla ato institucione të cilat thonë, nuk do të mendojmë vetëm për veten tonë, por për ne, pjesë e organizimit të fundvitit, do të jetë edhe një drekë, një vakt i ofruar për qendrat tona sociale. Ndaj, për këtë arsye të falenderoj me gjithë zemër. Arsyeja pse e them këtë është se asnjë njeri nuk ia del dot i vetëm. Një kryetar, një bashki, një staf sado të bëjë, qyteti është i stërmadh, nevoja është e stërmadhe, projektet janë shumë të komplikuara, do të thotë se asnjë s’ia del dot vetëm. Kjo është arsyeja pse për çfarëdo lloj projekti na duhet ndihmë nga të gjithë”, deklaroi në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i bashkise vazhdon të ftojë edhe institucione të tjera që të bëjnë bamirësi.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve që kanë mundësi, mund të jenë shtetërore, mund të jenë private, mund të jenë organizata joqeveritare, sikur secili të marrë përsipër një ngastër të vogël për të qenë solidarë, për të qenë bashkëpunues, për të ndihmuar dhe për të hequr një vakt, do të kemi një vit të ri që Tirana e ka të paprecedentë, plot solidaritet”, vijoi Veliaj.

Top Channel