Flaka mes rockut e hip-hopit

28/12/2017 18:52

Flaka Krelani e ftuar sot në “Pop Culture” foli për fillimet e karrierës në muzikë dhe projektin e saj më të fundit. Këngëtarja kosovare tha se është rritur me dy botë shumë të ndryshme të muzikës, hip hop dhe rock.

“Kur isha më e vogël kam qenë më rebele, në aspektin që doja ta paraqitja veten më rockere, sepse mendoja që rocku ma tregonte më shumë karakterin. Në anën tjetër mendoja pjesën që pse nuk dola edhe më e butë si R&B, sepse edhe R&B edhe hip-hop më pëlqejnë shumë. Kam menduar me kalimin e kohës t’i bashkoja të dyja,” u shpreh ajo.

Flaka foli dhe për “Experimental”, albumin e saj të parë, edhe pse pak të vonuar.

“Duke qenë se kam pasur gjithmonë idenë të marr pjesë në festivale dhe të performoj më shumë live, albumi ka qenë plan i fundit. Kam patur qejf t’i bëj më vonë, por më saktë edhe për të përmbledhur disa stile të muzikës në një album,” tha ajo.

Flaka u shpreh se “Experimental” është një album që përfshin të gjithë jetën e saj.

“Experimental ka tekste emocionuese, sentimentale, tema sociale, gjithçka që e përfshin jetën time. Kam më shumë dëshirë të fokusohem te ajo që është realitet. Albumi ka 16 këngë, disa prej tyre kanë dalë në treg para se ai të lançohej,” shtoi këngëtarja.

Ndërkohë, e pyetur nësa ka ndonjë këngëtare femër me të cilën do donte të bashkëpunonte, Flaka dha emrin e Adelina Ismailit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA