Ruçi në Top Story: Zgjedhjet, më të mirat në 27 vite

27/12/2017 21:28

Në Top Story-n e kësaj të mërkurë, Gramoz Ruçi nisi fjalën e tij duke u ndalur tek ngjarjet dhe zhvillimet më të rëndësishme të vitit që po lëmë pas.

Ai renditi reformën në drejtësi dhe vazhdimin e plotësimit të kuadrit ligjor të saj, zgjedhjen e Presidentit të Republikës, megjithëse thotë se do të dëshironte që të ishte zgjedhur me konsensusin e opozitës dhe më pas tek zgjedhjet e 25 qershorit.

“Këto ishin zgjedhjet më të mira politike të zhvilluara në 27 vitet e fundit në Shqipëri dhe ky nuk është vetëm perceptimi im, por edhe i shumicës së qytetarëve. Nuk ka ndodhur që Shqipëria të mos mbytej me lloj-lloj reklame e flamujsh dhe kjo ishte fushata e parë për mua, që ka qenë fushata më e mirë në fushën ekonomike e financiare të qytetarëve të vendit”, deklaroi Ruçi.

Kryeparlamentari shqiptar hapjen e kutive në disa qendra me kërkesë të PDIU-së e paralelizoi me kërkesën e PS-së në zgjedhjet e 2009 për hapjen e kutive.

“U hap kutia e Pandorës, pra u hapën kutitë e votimit dhe gabimet ishin minimale dhe në kufijtë e njerëzores”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Top Channel