Organizata bamirëse “Tearfund” po përpiqet të bindë qeverinë britanike të kanalizojë miliona paunde nga buxheti i saj i ndihmës tek vendet në zhvillim për t’i asistuar në përpjekjet e reduktimit të ndotjes detare dhe asgjësimit të plehrave.
Drejtuesit e saj janë angazhuar në bisedime me figura të larta të qeverisë angleze dhe shpresojnë t’i bindin ministrat ta rrisin nivelin e shpenzimeve në drejtim të mbledhjes së mbeturinave në këto vende ku problemi sa vjen e shtohet.
Ndikimi i një investimi të tillë sipas “Tearfund” do të ishte kolosal, sepse bashkë me malet e mbetjeve dhe tkurrjen e ndotjes së oqeaneve nga plastika, do të zbuste në mënyrë të ndjeshme edhe një krizë të shëndetit publik.
Aktualisht, në këtë drejtim shkon vetëm 0.3% e buxhetit 13 miliardë paundësh që ekzekutivi britanik ndan për ndihmën. E përkthyer në shifra, do të thotë më pak se 39 milionë paunde. “Tearfund” këmbëngul në gjetjen e donatorëve anëmbanë botës me qëllim rritjen e këtij shpenzimi në masen 3%, e cila vetëm për Londrën do të thoshte një kontribut prej 390milionë paundësh në vit.
Kjo sipas organizatës, do të kishte një impakt madhor mbi uljen e ndotjes në det. Anëtarja e saj Joanne Green thotë se shumë vende në zhvillim po përpiqen ta menaxhojnë problemin e mbetjeve plastike, por atyre u mungojnë sistemet e nevojshme për t’i bërë ballë situatës në shkallën e saj aktuale. Aq i lartë është niveli i mbeturinave plastike në Brazil e Nigeri, sa ka prekur shëndetin e njerëzve dhe jetëgjatësinë.
Top Channel