Një çerek miliardi dollarë më pak do të jetë kontributi amerikan për Buxhetin e Kombeve të Bashkuara për dy vitet e ardhshme. Ambasadorja amerikane Niki Haley me publikimin e shifrës për Krishtlindje i vuri kapak një viti të shënuar nga përballje të forta mes SHBA dhe OKB.
“Nuk do të lejojmë më që askush të shfrytëzojë bujarinë e popullit amerikan – deklaroi Haley.
Më saktësisht, SHBA do t’i japë OKB-së 285 milion dollarë më pak për buxhetin 2018-2019 në krahasim me të dy viteve të shkuara. Më herët, OKB tha se ishte rënë dakord për një reduktim prej 200 milionësh, por SHBA ka vendosur të jetë më e kursyer.
Buxheti i OKB për dy vjet është rreth 5,5 miliard dollarë dhe SHBA kontribuon me 22% të tij, ndërsa të tjerët nuk kalojnë as 10%. Sidoqoftë, edhe me reduktimin e radhës, SHBA do të vazhdojë të jetë kontribuesi më i madh i OKB-së.
Dhurata e Krishtlindjeve amerikane për OKB, me premtimin për shkurtime të tjera, erdhi pasi SHBA përdori veton e parë në shumë vite në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Jeruzalemit dhe pas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme po për këtë çështje.
Top Channel