Arkivat thyejnë kufijtë: Bashkimi i Praktikave Arkivore Shqipëri-Kosovë

27/12/2017 17:21

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës promovon sot Revistën Arkivore që do të botohet nga ky vit si botim i përbashkët i dy arkivave, pjesë e përpjekjes së unifikimit të punës arkivore në të gjitha Trevat Kombëtare.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dy drejtorët e dy institucioneve kryesore z. Ardit Bido Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave Shqiptare dhe z. Ramë Manaj Kryeshef i Arkivave të Kosovës gjithashtu znj. Pranvera Dibra Drejtoriseshë e Arkivit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe z. Skënder Asani drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë .

“Kemi sot kënaqësinë të kurorëzojmë një bashkëpunim të vyer ndërmjet të gjithë trashëgimisë tonë kulturore materiale, dokumentare, Revistën Arkivore e cila është në vijim të Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të Arkivistikës, e vetmja në Shqipëri që është një produkt i përbashkët midis dy arkivave Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe në të ardhmen e afërt dhe të institucioneve të trashëgimisë kulturore shqiptare në Maqedoni. Prandaj është një kënaqësi e veçantë që në kuadër të vitit mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ne do të dalim me produkte reale të cilat ndihmojnë në ngritjen e vëmendjes dhe në zhvillimin e bashkëpunimit institucional konkret dhe të prekshëm ndërmjet të gjitha institucioneve e të gjitha trevave shqiptare që kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë kulturore”- tha Bido.

Fjalën e mori Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, i cili është bashkëthemeluesi i kësaj Reviste Arkivore dhe një drejtues që ka arritur të japi ritmin e nevojshëm këtij bashkëpunimi mes nesh.

“Në këtë manifestim të vlefshëm shpreh kënaqësinë që në fund të këtij viti dhe në kuadër të vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu që bashkëpunimin midis dy arkivave ta përfundojmë edhe me një sukses pune. Shpreh edhe nevojën e këtij bashkëpunimi sepse përvoja, ekspertizat e zhvillimet e veprimtarisë arkivore si profesion por edhe si veprimtari shkencore kanë nevojë të unifikohen në një revistë të tillë të përbashkët me qëllimin e unifikimit si kontribut shkencor”, –tha z. Manaj.

Skënder Asani drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë përshëndeti dy drejtorat z. Bido dhe z. Manaj dhe znj. Pranvera Dibra Drejtoriseshë e Arkivit të Ministrisë së Evrpës dhe Punëve të Jashtme dhe tha se është i nderuar që është pjesë e kësaj reviste sepse Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, sepse është i vetmi Institucion në Maqedoni i Shqiptarëve dhe do na shërbejë që ky bashkëpunim midis Arkivave do na mundësojë ta ndjejmë dhe ta shkruajmë historinë tonë e cila në Maqedoni prej 7 dekadave ka qënë e mohuar.

“ Znj.Pranvera Dibra, shprehu kënaqësinë që është pjesë e këtij kontributi të përbashkët për një trashëgimi kombëtare të përbashkët. Uroj që kjo revistë të jetë tribuna e gjithë arkivistëve për të shprehur kontributet dhe eksperiencat të historianëve dhe të jetë gjithmonë një literaturë për studentët e dy anëve të kufirit”,- tha znj. Dibra.

Top Channel