UKT ka dhuruar 500 fidanë dekorative, duke iu bashkuar nismës së bashkisë së Tiranës, për gjelbërimin. Pemët janë mbjellë në pjesën jugore të Unazës së Tiranës, ku ishte i pranishëm kryetari Erion Veliaj dhe fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”.

“Jam shumë i lumtur sot që mbjellim 500 pemë në Unazën Jugore të Tiranës. Siç e shikoni, çdo herë përparojmë në drejtim të rrugës Tiranë-Elbasan, të autostradës së madhe, dhe besoj që në pranverë, kur të kenë çelur të gjithë këto pemë, do të kuptohet realisht impakti fantastik dhe mushkëria e oksigjenit që i është shtuar gjithë kësaj zone”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi nismën e ndërmarrjeve dhe agjencive nën varësi të Bashkisë së Tiranës, të cilat kanë vendosur të kontribuojnë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. Ai shpreh se ky shembull do të nxisë edhe kompanitë private dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë që t’i bashkohen këtij projekti.

“Nuk ka kuptim që t’u predikosh të tjerëve, nëse nuk e jep vetë shembullin i pari. Ndaj, më vjen mirë që të gjitha kompanitë, agjencitë e ndërmarrjet e Bashkisë janë ato të parat që japin shembullin, pastaj kërkojnë edhe nga privati. Dua të falenderoj UKT për faktin se ka dhënë shembullin e parë dhe shpresoj që deri në fund të sezonit të mbjelljeve, të gjitha agjencitë e Bashkisë së Tiranës do kenë dhënë kontributin e tyre të prekshëm në këtë projekt. Kemi më shumë arsye dhe më shumë kurajo që t’u kërkojmë edhe të tjerëve, kompanive private, agjencive të ndryshme, ambasadave të huaja që t’i bashkohen këtij projekti”, deklaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës synon që gjer në vitin 2030, në kryeqytet të mbillen 2 milionë pemë të reja, si pjesë e Pyllit Orbital.

 

Top Channel