Lufta mes bandave në Elbasan; Xhafaj: Çapajt dhe Çelajt nuk simbolizojnë qytetin

26/12/2017 14:26

Pas një takimi 3 orësh me drejtorët e policisë së shtetit që u zhvillua në Elbasan, ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj la të kuptohet se ky qytet nuk mund të jetë peng i grupeve kriminale. Xhafaj tha se për goditjen e këtyre bandave në Elbasan janë emëruar hetuesit më të mirë të policisë.

“Unë di të them një gjë që, qoftë ata që ju i quani qoftë ‘Çapja’ apo ‘Çelaj’, nuk mund të sinjifikohen apo të simbolizojnë këtë qytet, apo komunitet njerëzish me vlera siç është Elbasani. Ata dhe të tjerë që janë përfshirë në veprimtari kriminale, të jeni të sigurt që në momentin më të përshtatshëm do marrin ndëshkimin e merituar”, u shpreh ai.

Nga janari, në Elbasan do të aplikohet një projekt pilot për një riorganizim të punës së policisë në kontrollin e territorit si dhe marrëdhëniet me qytetarët. Ky model synohet të shtrihet në të gjithë vendin ndërsa drejtorët e policisë apo shefat e komisariateve do të kenë detyrim të raportojnë para komunitetit një herë në gjashtë muaj. Madje për riemërimin e tyre do të merret pëlqimi i komunitetit ku ushtrojnë detyrën.

Në takimin dhe drejtorët e policisë ishin edhe ministrat Gjiknuri dhe Klosi të cilët kërkuan mbështetjen e uniformave blu në aksionet kundër vjedhjes së ujit dhe për pastrimit të territorit.

Top Channel