Bushati në familjen e Florencit në Shkodër: Presim përfundimin e hetimeve

26/12/2017 12:48

Qeveria do të angazhohet për sjellen sa më shpejt të trupit të Florenc Beqirit nga Franca në Shqipëri. Ministri Jashtëm Ditmir Bushati ishte për ngushëllime në familjen e Florenc Beqirit në Shkodër, i riu që humbi jetën pak ditë më parë në një spital të Marsejës në Francë.

Rasti u përhap fillimisht në rrjetet sociale, ku u denoncua neglizhenca e shtetit shqiptar dhe u hodh dyshimi se i riu ishte keqtrajtuar në burg. Më pas Ministria e Jashtme e Shqipërisë, që iu referua burimeve policore franceze, saktësoi se i riu ndodhej në një qendër për emigrantë ilegalë, në pritje të dëbimit drejt Shqipërisë.

Autoritetet franceze dyshojnë se për të zgjatur qëndrimin në Francë, Florenci ka tentuar të dëmtojë veten një ditë përpara dëbimit, duke stimulur një vetëvrasje me litar, që ka marrë për keq.

Pasi rasti u bë viral dhe për të reagoi edhe Presidenti i Republikës dhe opozita, ndërkohë shoqëria civile organizoi protesta, reagoi ambasada e Francës në Shqipëri që njoftoi se do të kryhet autopsia, ndërkohë që është ndërmarrë një hetim.

Ministri Bushati kërkoi të martën pikërisht përfundimin e hetimeve përpara se të shprehej.

“Qeveria merr përsipër shpenzimet për transportin e trupit të viktimës dhe sjelljen në atdhe. Jemi në kontakt të pandërprere me autoritet franceze. Duhet të presim përfundimin e hetimeve për të folur për shkaqet e kësaj ngjarje. Të respektojmë vdekjen”, tha Bushati.

I pyetur nga mediat nëse ka pasur ngurrim në veprime nga ambasada jonë në Francë ministri i jashtëm premtoi se do të merret çdo masë nëse ky do të jetë rasti.

Top Channel