Bashkëpunimin me LSI-në, Lulzim Basha nuk e konsideron si koalicion, as si aleancë.
“Nuk ka aleancë, as koalicon me LSI-në, por ka një front të përbashkët opozitar”, tha ai në Top Story.
Kryetari i PD-së deklaroi se “asëgjësimi i zgjedhjeve dhe goditja e reformës në drejtësi përmes zgjedhjes antikushtetuese të kryeprokurorit të ri, nuk zgjidhen me ankimim në Gjykatën Kushtetuese”.
“Alibia se kjo mund të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese është një narkozë e vlefshme për narkoqeverinë”, deklaroi Basha.
Basha thotë se as propozimi i bërë fillimisht nga Sali Berisha për të djegur mandatet nuk është zgjidhje, ndërsa rishpreh pozicionin e PD-së pro ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kreu i PD-së pati një mesazh edhe për ambasadorët.
“Mosdenoncimi i drogës ishte gabim dhe mosshkuarja deri në fund e dekriminalizimit ishte gabim. Po ashtu edhe se mbështetja e shkeljes së Kushtetutës dhe në veçanti e reformës në drejtësi si investim i përbashkët me partnerët do të ishte gabim trashanik”, u shpreh ai.
Momenti me kulminant i 2017-ës ishte finalizmi i 90 ditëve protestë në çadër me shtrëngimin e duarve me Edi Ramën. Basha nuk quan gabim marrëveshjen, por investimin me një njëri që nuk njeh marrëveshje, siç e quajti ai Kryeministrin.
Por edhe pse PD u ndëshkua në zgjedhje, diçka tjetër e bën optimist kreun e opozitës këtë fundviti.
“Sot PD e gjen veten të ndëshkuar padrejtësisht nga zgjedhje të pandershme të blera e të kapura e paratë e drogës dhe krimit, por nga ana tjetër e gjen veten partner kryesor të faktorit ndërkombëtar të ndryshimit që po vjen e do të vijë pavarësisht prej përpëlitjeve të fundit të një karteli politiko-kriminal” , u shpreh ai.
Basha thotë se opozita është e vendosur në rrugën e saj dhe si hap të parë për daljen e vendit nga kriza propozon zgjedhje përmes një qeverie antimafia.
“Hapi i parë është rikthimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie antimafia. Jemi të qartë në vizionin tonë, sesa kohë do të marrë ne e kemi treguar se kemi forcën dhe durimin”, u shpreh ai.
Top Channel