Kreu i shtetit Ilir Meta, shoqëruar nga fëmijët e tij, Bora, Besari dhe Era ka zgjedhur të urojë Krishtlindjet në Bashkësinë fetare “Vllazëria Ungjillore e Shqipërisë”.

Më pas Presidenti i Republikës vizitoi Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop Anastasi.

“Dëshiroj që në këtë ditë shprese, dashurie, solidariteti, harmonie dhe paqeje të gjithë të jemi sa më pranë familjeve tona, sa më pranë njëri-tjetrit. Të punojmë dhe të bashkëpunojmë për më shumë paqe, mirësi dhe begati. Edhe më shumë vëmendje dhe kujdes ndaj atyre që janë më të pambrojtur, më të përjashtuar, më në vështirësi në mënyrë që te kemi një shoqëri më të bashkuar, më optimiste dhe më të fortë për të ardhmen.

Njëkohësisht, Krishtlindja është pak më e veçantë. Besoj se jo vetëm Kisha jonë Ortodokse është edhe më shqiptare, por në mënyrë të veçantë, jam i bindur që edhe shoqëria jonë është edhe më evropiane, është edhe më gjithëpërfshirëse, është edhe më mirënjohëse. Është edhe më e vendosur në ato vlera të solidaritetit, të mirëbesimit, të bashkëpunimit, të mirëkuptimit, që e çojnë këtë shoqëri më me besim drejt evropianizimit të saj të plotë dhe natyrisht kjo është një ditë e cila ka dhe shumë diell, ka dhe shumë shpresë”, uroi Meta.

Ndërsa për dhënien e shtetësisë shqiptare Kryepeshkop Janullatosit, Meta tha se “përgjigjen më të mirë e ka dhënë Fortlumturia e Tij: Është si puna e verës”.

“Dhe njëkohësisht duhet të theksoj se lidershipi i tij në krye të kësaj Kishe ka qenë një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për t’u afirmuar në të gjithë botën e ortodoksisë, por ka qenë edhe një mundësi shumë e mirë për të promovuar edhe Shqipërinë si një vend evropian, si një vend me vlera, por mbi të gjitha si një vend i bashkëjetesës shqiptare, të tolerancës e të dashurisë, dhe Fortlumturia e Tij gjithnjë ka predikuar jo vetëm për besimtarët ortodoksë, për për të gjithë shqiptarët paqe, dashuri dhe mirëkuptim”, tha kreu i shtetit.

 

Top Channel