Katolikët shqiptarë kremtuan në mesnatë lindjen e shpëtimtarit. Në gjithë kishat katolike të vendit janë mbajtur meshat, ndërsa në Tiranë mesha është mbajtur në katedralen “Shën Pali”.

Imzot Xhorxh Frendo bashkë me mesazhin fetar dha dhe një mesazh të fortë social.

“Jezusi na urdhëron të respektojmë dinjitetin dhe të drejtat e çdo njeriu. Prandaj njeriu s’ka nevojë të afrojë një deputet që ti ofrohet një vend pune. S’ka nevojë të paguajë një kirurg në një spital publik që të bëjë një operacion. S’ka nevojë të korruptojë një gjyqtar që të marrë vendimin e drejtë në gjykatë. Nuk ka nevojë të pijë drogë që të gjejë gëzimin e as nuk ka nevojë që të lypë nëpër rrugë që të fitojë bukën e ditës”, tha gjatë meshës Xhorxh Frendo.

Imzot Xhorxh Frendo tha se dita e Krishtlindjeve është një festë e madhe e familjes dhe dashurisë ndërsa kërkoi që shembulli i Jezusit, që u përkujdes për ata që kishin nevojë, të na drejtojë në çdo ditë të vitit.

“Gëzimi që tregohet në këtë fëmijë të brishtë, ky është urimi im për ju në këtë natë. Rroftë Jezusi fëmijë! Gëzuar Krishtlindjet!”, tha Imzot George Frendo, arqipeshkv i Tiranes e Durrësit.

Top Channel